Mundësi Biznesi

Energjia dhe Minierat - Kosova ka pasuri të mëdha nëntokësore, me 14,700 milion tonë, ajo zë vendin e pestë në botë për rezerva linjiti. Rezervat e këtij minerali që përdoret si burim kryesor i prodhimit energjetik në Kosovë,  vlerësohet se do të zgjasin për 650 vjet të tjera, me ritmin e nxjerrjes momentale.
Rezerva linjiti janë të shpërndara edhe në legenin e Dukagjinit dhe atë të Drenicës, por nxjerrja e mineralit momentalisht është kufizuar vetëm në legenin e Kosovës.Pos linjitit Kosova është e pasur edhe me zink, plumb, ari, kadmium dhe bismut. Kultura e  nxjerrjes së linjitit daton që nga koha romake, nxjerrja moderne e mineraleve në Kosovë fillon  në vitet 1930'ta, me themelimin e  Kompleksit të Trepçës. Momentalisht Trepça është pronë shoqërore dhe përbëhet nga tetë mina, asnjëra prej të cilave nuk është aktive.

Bujqësia dhe Blegtoria
 - Kosova është e pasur me tokë bujqësore, 53 për qind të sipërfaqes totale janë tokë e punueshme. Momentalisht sektori i bujqësisë kontribuon vetëm 19 për qind në NVP-në e përgjithshme dhe 15 për qind në vlerën e eksportit. Procedimi i ushqimit në Kosovë tradicionalisht është udhëhequr nga ndërmarrjet shoqërore, derisa sot këto janë jo-aktive; kompani të reja private kanë filluar të operojnë në këtë fushë. Pjesa më e madhe e këtyre kompanive janë të vogla dhe nuk janë ende të afta për të mbuluar pjesën më të madhe të kërkesave në treg.
Investimi në këto kompani, sigurimi i teknikave të reja të menaxhmentit do të mund të rilindte industrinë e agro-prosimit në Kosovë, deri në atë pikë që do të mund të garonte në tregjet ndërkombëtare.
 
Vreshtat - Rritja e rrushit dhe prodhimi i verës është një traditë e vjetër në Kosovë. Gjatë viteve të arta industria e verës vetëm në Rahovec ka pasur kapacitet prodhimi deri në 50 milion litra në vit. Në vitin 1989, eksporti i verës së Rahovecit ka arritur në 40 milion litra që kryesisht janë shpërndarë në tregun gjerman. 

Ndërtimtari - Viteve të fundit industria e ndërtimit është bërë njëri ndër sektorët më të rëndësishëm në ekonominë Kosovare. Ky sektor vazhdon të jetë një potencial shumë i madh ekonomik për Kosovën, duke marrë parasysh nevojën për ndërtime të vendbanimeve të reja dhe infrastrukturës rrugore.Vet Qeveria e Kosovës ka vendosur për qëllim që të lidhë vendin me korridoret më të rëndësishme në Maqedoni, Shqipëri dhe Serbi.

Industria e tekstilit 
- Tekstili ka qenë sektori i dytë për nga madhësia në Kosovë, ndërsa në kulmin e zhvillimit të saj 15 ndërmarrjet shoqërore të prodhimit të tekstilit kanë punësuar më shumë se 1,000 njerëz dhe kanë arritur shitje deri në 35 milion euro.
Përkundër zhvillimeve të fundit në rajon, që kanë prishur lidhjet e tregtisë, analizat ndikojnë se nga 55  deri në 65 milionë euro mund të arrihen me eksportim, në rast të rikthimit të këtyre lidhjeve. Në këtë sektor ka mjaft hapësirë për investitorë që edhe njëherë Kosova të prodhojë rroba të përfunduara nga tekstili i prodhuar në rajon.

Turizmi
- Potenciali turistik i Kosovës lidhet ngushtë me pozitën gjeografike të Kosovës, e rrethuar nga të gjitha anët me male, dhe në qendër të Ballkanit, vendi ka potencial për turizëm dimëror. Malet në jug të Kosovës, vendpushimet si Brezovica dhe Malet e Sharrit janë mundësi shumë të mira dhe interesante për investitorët. Momentalisht vendpushimi i Brezovicës përfshin tre hotele, dy restorante dhe nëntë ski-lifte që momentalisht janë pronë shoqërore.
Përpos Brezovicës, vend tjetër malor që shfrytëzohet për turizëm dimëror janë Bjeshkët e Nemuna, të vendosura në perëndim të Kosovës. Mendohet se ky lokacion turistik ka potencial për të pranuar deri në 30,000 vizitorë turistikë. Potencialin e këtij rajoni veç më kanë filluar të shfrytëzojnë kompani të vogla private që kanë ndërtuar komplekse private në fshatin Bogaj.

Procedurat dhe Legjislatura
 - Kosova ka një kornizë të komplikuar të legjislaturës. Momentalisht në fuqi janë të gjitha ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe udhëzimet dhe urdhëresat e lëshuara nga UNMIK.
Sa i përket investimit, ai rregullohet me Ligjin për Investim të Huaj, i cili definon një investitor të huaj si një person fizik që s'është  banor i Kosovës dhe cek se investitorët e huaj nuk do të trajtohen më favorshëm se ndërmarrjet vendore. 
Për të operuar si biznes legjitim, ndërmarrjet e huaja dhe vendore duhet të regjistrohen në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë si një nga këto kategori biznesesh.
  1. Biznese Individuale,
  2. Ortakëri të përgjithshme,
  3. Ortakëri e kufizuar,
  4. Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar
  5. Shoqëri aksionare,
  6. Kompani e huaj,
  7. Ndërmarrje shoqërore,
  8. Ndërmarrje publike,
  9. Kooperativa bujqësore,
  10. Ndërmarrje të tjera nën juridiksionin e AKM-së.

Në përputhje me nenet e Ligjit për Investim të Huaj, kompanitë e huaja janë të lejuara të angazhohen në çfarëdo aktivitet biznesor që janë të hapura për bizneset vendore, dhe nuk ekziston ndonjë kufizim sa i përket kapitalit që mund të kenë këto kompani.Investitorët e jashtëm mund të themelojnë degë të veta në të njëjtën formë si bizneset vendore.