Rekrutimi dhe punësimi

Në Kosovë ekziston një shkallë e lartë e papunësisë e cila arrin shifrën deri 44%. Papunësia e madhe krijon edhe probleme sociale, prandaj një vëmendje të posaçme duhet kushtuar politikave të punësimit. Mirëpo në Kosovë ekziston potencial i mrekullueshëm të klasës punëtore për të ardhmen por nuk mundemi të ofrojmë mundësi të mjaftueshme të punësimit për njerëzit tanë të rinj, pavarësisht trajnimit dhe kualifikimit të tyre. Ne nuk kemi ende ekonomi të fort e cila do të amortizojë të gjithë ata të cilët dëshirojnë të punojnë. 
Në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) është miratuar edhe kontrata kolektive për të punësuarit në Republikën e Kosovës.
 
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është e angazhuar maksimalisht në ofrimin e shërbimeve të nevojshme për të punsuarit në Kosovë si dhe për krijimin e kushteve për punëkërkuesit që të aftësohen profesionalisht në ato profile që e kërkon ekonomia e tregut të punës. Duke u mbështetur në Deklaratën e Organizatës Ndërkombëtare të Punës mbi Parimet Themelore dhe të Drejtat në Punë me synim të përparimit dhe realizimit të zbatimit Univresal të tyre në mënyrë të ndershme dhe me qëllim të vendosjes së ligjit themelor të punës në Kosovë është aprovuar edhe Rregullorja  për Ligjin themelor të Punës në Kosovë.
Kjo rregullore rregullon punësimin në Kosovë, duke përfshirë edhe marrëdhëniet e punës sipas të cilave kryhen punët ose shërbimet. Marrëdhëniet e punës në kuadër të shërbimit publik, UNMIK, KFOR dhe zyrat apo përfaqësitë e qeverive të huaja dhe të organizatave ndërkombëtare qeveritare nuk rregullohen me këtë rregullore. Kjo rregullore, rregullon zbatimin dhe mbrojtjen e parimit të barazisë së individëve dhe grupimeve të tyre, nga të gjitha format e diskriminimit, duke ndihmuar në parandalimin e këtyre formave.
Qëllimi i kësaj rregullore është të sigurojë të drejtën e çdo individi për barazi përpara ligjit dhe mbrojtje të barabartë nga ligji.
 
Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar dhe në gjuhë zyrtare të përdorur në Kosovë. Kontrata e punës duhet nënshkruar dhe datuar nga ana e punëdhënësit dhe punonjësit.

Mosha e lejuar për punë - Mosha tetëmbëdhjetëvjeçare (18) është mosha minilmale për punësim ose punë e cila sipas natyrës së saj, ose rrethanave në të cilat kryhet ajo punë, ka gjasa të kërcnojë shëndetin, sigurinë ose moralin e të rinjëve. Personi nën moshën 18-vjeçare mund të punësohet vetëm për punë të lehta të cilat nuk e dëmtojnë shëndetin ose zhvillimin e tij a të saj dhe nuk e pengon atë për ndjekjen e mësimit në shkollë.Personat nën moshën 15-vjeçare nuk mund të punësohen.


Rekrutimi
Marrëdhënia e punës themelohet për kohë të pacaktuar ose të caktuar. Kërkesat për nevoja të punëtorëve të rinj i dërgohen Zyrës për punësim në komunën përkatëse, ku ndodhet selia e punëdhënësit, nëse këto zyra disponojnë kuadër  të profesioneve të kërkuara. Kërkesat për punë mund të shpallen edhe në mjetet e informimit publik. Punëdhënësi i mundëson të punësuarit para nënshkrimit të kontratës së punësimit njoftimin me përmbajtjen e kontratës kolektive dhe të akteve të tjera të përgjithshme që i përcaktojnë të drejtat dhe obligimet e tij.
 
Pushimet vjetore - Punëtori ka të drejtë në shfrytëzimin e pushimit vjetor me pagesë gjatë vitit kalendarik.Kohën e  shfrytëzimit të pushimit vjetor e cakton  punëdhënësi në konsultim me punëtorin.
 
Pushimi Lehonisë - Femra e punësuar gjatë kohës së shtatzënisë dhe lindjes ka të drejtë në pushim lehonie prej gjashtë (6) muajsh pa ndërprerë. Pushimi i lehonisë njihet si periudhë kohore pune, dhe për tre (3) muajt e parë të pushimit të lehonisë paguhet nga punëdhënësi prej jo më pak se 70 për qind nga paga e të punësuarës, kurse për tre (3) muajt e tjerë vijues pagesa bie në ngarkesë të Fondit të Qeverisë së Kosovës për mbrojtjen e maternitetit, jo më pak se 70 për qind të paqes së të punësuarës.
 
Siguria dhe mbrojtja e shëndetit në punë - Me qëllim të ofrimit të standardeve minimale të sigurisë në punë, punëdhënësi dhe punëtori janë të obliguar që, përveç të drejtave dhe obligimeve të përcaktuara me ligj, t’i respektojnë edhe dispozitat e kësaj kontrate kolektive mbi sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë.