Pa aftësia për punë

Qytetarët me aftësi të kufizuara
Mbështetje financiare u ofrohet të gjithë banorëve të përhershëm të Kosovës të cilët janë me aftësi të kufizuara të përhershme. Megjithatë ndihma financiare e ndarë për këta qytetarë jepet në bazë të bashkësisë familjare, për shkak të organizimit aktual të Skemës së Ndihmës Sociale. Pra, ndihma sociale u shkon të gjithë familjes që kujdeset për personin me aftësi të kufizuara të përhershme. 

Përkrahja financiare u jepet familjeve që kanë një apo më shumë anëtar të mitur (nën moshën 18 vjeçare) që ka aftësi të kufizuara të përhershme.
Përkrahja iu jepet po ashtu edhe familjeve të personave të rritur që kanë aftësi të kufizuara të përhershme. 
Kërkesa për përkrahje materiale paraqitet në Qendrën për Punë Sociale të komunës ku qytetari banon. Më shumë informata për aplikim dhe udhëzimet e lëshuara nga Departamenti i Mirëqenies mund t'i gjeni në Qendrën për Punë Sociale.

Invalidët e luftës
Të gjithë banorët e Kosovës të cilët kanë marrë plagë fizike si pasojë e drejtpërdrejtë të konfliktit të armatosur në Kosovë, kanë të drejtë për të shfrytëzuar ndihmat dhe beneficionet që i janë dedikuar atyre. Invalidë të luftës konsiderohen, ish-pjesëtarët e UÇK-së por edhe civilët që janë plagosur apo lënduar gjatë këtij konflikti.
Ndihmat që i përkasin invalidëve të luftës janë këto.
    • Pensioni invalidor personal,
    • Përkujdesja shëndetësore primare, sekondare dhe terciare pa kompensim në institucionet shëndetësore publike,
    • Rehabilitim shëndetësor dhe fizik,
    • Riaftësim profesional,
    • Përparësi në punësim në kushte të barabarta,
    • Lehtësime tatimore dhe doganore,
    • Përparësi për regjistrim në institucione arsimore,
    • Bursë për shkollim,
    • Përparësi vendosjeje në konvikte pa kompensim
    • Tekste shkollore falas për arsimin fillor dhe të mesëm për fëmijët e invalidit,
    • Përkujdesje në banim,
    • Lirim nga taksa gjyqësore, administrative dhe publike,
    • Tarifë të lirë dhe të reduktuar të konsumit të energjisë elektrike,
    • Lirimin nga tatimi në pronë,
    • Përparësi vendosjeje në shtëpitë e personave të moshuar,
    • Përshtatje e ambientit për lëvizje të mjeteve ortopedike pa pengesa në hyrje të shtëpisë-banesës.