Arsimi i të rriturve

Pjesëmarrja në edukimin e të rriturve është bërë pjesë e rëndësishme e edukimit në Kosovë. Arsimi dhe aftësimi për të rritur nënkupton tërë arsimin dhe aftësimin publik dhe privat të ofruar për të rriturit dhe / ose për të rinjtë mbi moshën 15 vjeçare, të cilët kanë të drejtë të ndjekin programet e mësimit, të hartuara për të rriturit. Arsimi dhe aftësimi i të rriturve është pjesë integrale e sistemit të arsimit në Kosovë. Arsimi dhe aftësimi për të rritur mund të ofrohet në institucionet publike dhe ato private.

Institucionet publike
 për arsimin dhe aftësimin e të rriturve i themelon MASHT-i në Bashkëpunim me ministritë tjera. Institucionet për arsimin dhe aftësimin e të rriturve mund të themelohen si institucione publike ose të organizohen në shkolla, në organizata për arsimin dhe aftësimin e të rriturve, të cilat janë të regjistruara dhe të licencuara në bazë të ligjit. Institucioni publik për arsimin dhe aftësimin e të rriturve mund të themelohet sipas kushteve të parapara me këtë ligj.Institucionet private për arsimin dhe aftësimin e të rriturve themelohen nga persona juridik privat dhe licencohen nga MASHT-i.

Programet
 për arsimin dhe aftësimin publik të rriturve hartohen dhe miratohen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, në bashkëpunim me ministritë tjera. Bartësit e arsimit dhe të aftësimit privat i hartojnë programet e tyre, të cilat i miraton MASHT-i. Programet për arsimin dhe aftësimin e të rriturve duhet te jenë në pajtim me standardet bashkëkohore Evropiane.

Regjistrimi 
- Në arsimin dhe aftësimin sipas programeve të caktuara vjetore të rriturit regjistrohen në bazë të konkursit publik. Konkursi i publikuar duhet të përmbajë këto të dhëna:
  • Kushtet e kërkuara për regjistrim në pajtim me këtë ligj që përfshijnë programet përkatëse arsimore dhe standardet e tjera të caktuara nga institucionet e arsimit për të rritur;
  • Numrin e vendeve të lira të parapara për regjistrim;
  • Mënyrën dhe kushtet e realizimit të arsimit dhe aftësimit si dhe kushtet e përfundimit me sukses të tij;
  • Lartësia e pagesës për vijuesit.
Konkursi duhet të publikohet të paktën në afat prej një muaj para fillimit të mësimit. Kohëzgjatja e programeve dhe planifikimi i realizimit të punës arsimore për të rriturit, mund të rregullohet ndryshe nga kalendari i rregullt shkollor i institucioneve arsimore.

Pagesa
 - Shkollimi ne nivelin e arsimit të obliguar sipas Ligjit mbi arsimin fillor dhe të mesëm është falas, ndërsa për arsimin dhe aftësimin jo obligues bëhet participimi në bazë të Udhëzimit Administrativ të nxjerrë nga MASHT-i.

Plani vjetor i punës
 - Puna arsimore në institucionet për arsimin dhe aftësimin e të rriturve realizohet përmes programeve arsimore publike dhe private sipas planit vjetor të punës. Plani vjetor i punës i institucioneve të arsimit dhe aftësimit, duhet të hartohet në pajtim me kërkesat e caktuara me Udhëzim Administrativ, që do të nxjerrët nga MASHT-i. Institucionet dhe organizatat arsimore të cilat organizojnë kurse certifikuese duhet së paku dy herë në vit të publikojnë afatet për provime nga programet arsimore që i realizojnë.

Vlerësimi
 - Kualifikimet për të rritur fitohen duke iu nënshtruar provimeve pasi ta kenë ndjekur programin përkatës të arsimit. Provimet që vijojnë programet e arsimit kompensues,ose që kërkojnë certifikim formal, duhet të jenë në pajtim me kërkesat standarde ekzistuese për nxënësit e rregullt. Arsimi dhe aftësimi dëshmohet me dokument zyrtar sipas programeve arsimore për të rritur dhe programet e tjera arsimore, të përcaktuara sipas ligjit. Barasvlera dhe nostrifikimi i këtyre dokumenteve me ato të arsimit publik bëhet me udhëzim administrativ të MASHT-it.

Certifikatat dhe diplomat
 janë dokumentet që dëshmojnë arritjet e nxënësve në programet e arsimit për të rritur. Këto dokumente janë të standardizuara dhe të miratuara nga MASHT-i.
​​