Asistencat dhe Bursat

Studentët të cilët nuk kanë mundësi ekonomike të financojnë studimet e tyre duhet të paraqiten për asistencë në zyrën për asistenca pranë UP-së. Kandidatët të cilët janë staf i UP-së lirohen nga pagesat administrative. Universiteti i Prishtinës ka shpallur një konkurs për lirim nga pagesa e semestrit për vitin akademik 2008-09. Të drejtë lirimi nga pagesa e semestrit për vitin akademik 2008-09 kanë këto studentë të Universitetit të Prishtinës:
  • Studentët, familjet e të cilëve janë në asistencë sociale,
  • Studentët të cilët janë invalid të luftës,(qofshin ata ushtarak apo civil),
  • Studentët që kanë mbetur pa njërin prind si pasojë e luftës(në kohën prej 1.1.1998 deri më 12.6.1999),
  • Studentët me aftësi të kufizuara fizike.
Të gjithë studentët duhet të paraqesin:
  • Kërkesën për lirim nga pagesa e semestrit
  • Certifikatën e studimeve për vitin akademik 2008-2009.
  • Kopjen e Fletëparaqitjes për pagesë me të cilën vërtetohet se studenti-ja ka paguar semestrin për vitin kademik 2008-09.
  • Fotokopjen e lejes së njoftimit të studentit-ës
  • Fotokopjen e konto numrit bankar të studentit-ës
Bursa Student i Dalluar është një shpërblim nga Universiteti i Prishtinës i cili për çdo vit akademik ju ndahet studentëve më të veçuar të vitit akademik.
Parakushtet kryesore për të fituar Bursën e Universitetit janë:
  • Studenti në kohë të rregullt e ka likuiduar vitin e studimeve (i ka mbaruar të gjitha provimet).
  • Studenti është i rregullt në studime.
  • Nota mesatare në studimet e deritashme është së paku 9.00 (së paku 90% nga 100% të arriturave të mundshme).
  • Studenti nuk e ka përsëritur asnjë vit të studimit.
Bursa për të studiuar në Universitetin Veror të Prishtinës - Pranë UP, nga 14 Korriku deri me 01 Gusht, mbahet Universiteti Veror i Prishtinës. Ky Universitet pranon aplikime nga studentët shtetas dhe nga studentë nga Evropa Jug Lindore dhe pjesa tjetër e Botës. Të gjithë të interesuarit duhet të kontaktojnë me zyrën e Universitetit Veror të Prishtinës për të gjitha pyetjet që kanë në lidhje me edicionin e ri të këtij universiteti për verën e ardhshme.

Bursa për të studiuar jashtë shtetit
 - Shtetasit kosovarë kanë mundësinë të studiojnë në disa shkolla të Evropës në kuadër të projektit “Erasmus Mundus External Cooperation Window”. Studentët pjesëmarrës në këtë projekt përfitojnë bursë të plotë të financuar nga Bashkimi Evropian. Në kuadër të projektit Erasmus Mundus External Cooperation Window, Universiteti i Prishtinës si partner, ka qenë pjesë e bashkëpunimit të Universiteteve Evropiane dhe për herë të parë ka mundësuar shkëmbim të studentëve. Grand mbajtës i këtij projekti është Universiteti i Ghent-it. Këto programe janë të ndara në periudha 6-10 mujore (shkëmbim) dhe 2 vjeçare (Master). Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në afatet tjera të parapara me Marrëveshjen e Mirëkuptimit (MOU). Për të aplikuar në këto programe të interesuarit duhet të kontaktojnë me Zyrën për marrëdhënie me jashtë – ZMJ, pranë rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Kredi bankare për studentët
 - Të gjithë studentët që interesohen për të marrë kredi studentore për financimin e studimeve të tyre duhet të kontaktojnë me bankat operuese në shtetin e Kosovës të cilat ofrojnë kredi të tilla.
​​