Bibliotekat

Qëllimi kryesor i bibliotekave në Kosovë është që të gjithë qytetarëve të integruar në botën e informacionit në zhvillim, pa dallim moshe, kombi, race, feje, t’u sigurojë qasje të lirë dhe të pakufizuar në dije, mendim, kulturë dhe informacion, të kenë mundësi të vlerësimit të arriturave shkencore, arteve, dhe të trashëgimisë kulturore përgjithësisht.
Për të bërë huazimin e materialeve, qytetarët duhet të jenë anëtarë të Bibliotekës dhe të paraqesin dëshmi në rast të bërjes së porosisë. Qytetarët mund të huazojnë deri në 3 njësi (libra apo materiale të tjera) në të njëjtën kohë. Koha e huazimit zgjat prej momentit të huazimit deri në fund të ditës, d.m.th. deri në fund të orarit të punës së asaj dite në Bibliotekë.

Në Kosovë ekzistojnë disa lloje bibliotekash si Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës, bibliotekat e institucioneve, bibliotekat publike ndërkomunale, bibliotekat lokale, bibliotekat publike të shkollave, bibliotekat e veçanta.
Organizimi, procedurat dhe veprimtaria e bibliotekave të Kosovës rregullohet sipas ligjit për Bibliotekat e Kosovës.
Origjina e Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës vjen nga krijimi i Bibliotekës Rajonale më 1944 në Prizren (1944-1963) dhe më vonë funksionoi si Biblioteka Provinciale (1963-1970). Me themelimin e Universitetit të Kosovës në 1970 kjo bibliotekë mori rolin dhe funksionoi si Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës . Ndërtimi i kësaj biblioteke në Prishtinë filloi në 1974 dhe libraria u inaugurua në 25 Nëntor , 1982.

Vetë objekti i kësaj Biblioteke ka një histori të veten që paraqet rrethanat politike e shoqërore kosovare të viteve të gjysmës së dytë të shekullit të kaluar. Objekti nga pamja e jashtme është i ndërtuar me disa kupe të cilat në kohërat e kaluara për vendasit simbolizonin "Plisin" simbol i veshjes kombëtare. Përndryshe në këtë objekt ruhen libra të ndryshëm të cilët qytetarët kanë mundësi ë i lexojnë brenda objektit.

Qendra e Bibliotekës Universitare
 (QBU) është krijuar më 17 tetor 2006,në kuadër të ligjit për Bibliotekat e Kosovës. Sipas këtij ligji parashihet ndarja e Bibliotekës Universitare nga Biblioteka Kombëtare. QBU synon të ndërtojë bërthamën e parë të Bibliotekës Qendrore Universitare, të veçantë prej Bibliotekës Kombëtare dhe me një potenciali të mjaftueshëm të kuadrit, shërbimeve, koleksioneve. Krijimi i QBU-së është faza e parë e përgatitjes së kushteve edhe për ndarje fizike dhe pavarësim në Bibliotekë Qendrore të Universitetit të Prishtinës.

Shoqata e Bibliotekarëve të Kosovës
 është e vetmja shoqatë bibliotekare e Kosovës në nivel kombëtar, e themeluar më 12 nëntor 1971. Si një bashkësi profesionistësh me një vullnet të lirë dhe punë vullnetare, është e interesuar për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve bibliotekarë, për krijimin e kushteve më të mira për punë, për ngritjen e tyre profesionale dhe për zgjerimin e aktivitetit profesional bibliotekar.
​​