Azili

“Azil“është mbrojtja që Kosova i ofron refugjatëve. Azili përfshin të drejtën për vendqëndrim në Republikën e Kosovës si dhe të drejtat tjera që parashihen me këtë ligj. “Azil-kërkues” është i huaji, i cili e ka parashtruar kërkesën e tij ose të saj për azil ose Mbrojtje Plotësuese. Ai / ajo konsiderohen të tillë që nga momenti i parashtrimit të kërkesës për azil deri në marrjen e vendimit përfundimtar. “Azilant” është i huaji, të cilit i është lejuar statusi i azilit në Republikën e Kosovës.

Një person i interesuar të kërkojë azil ose statusin e refugjatit mund të kërkojë mbrojtje nga Republika e Kosovës nga frika e persekutimit në vendin e tij/saj të nënshtetësisë ose të vendit me lejë qëndrim të përhershëm për arsye të racës, fesë, kombësisë,anëtar i një grupi të caktuar politik social ose të bindjeve politike. Ky person quhet refugjat/e.
Kërkesa për azil nga i huaji mund të bëhet me gojë ose në formën e shkruar gjatë kontrollit në pikën e kalimit kufitar, në çdo stacion policor dhe në zyrat e Departamentit për Kufij, Azil dhe Migracion (DKAM). Regjistrimi i azilkërkuesit bëhet me plotësimin e pyetësorit për regjistrim. Policia njofton DKAM-në për çfarëdo kërkese për azil dhe DKAM-ja cakton procedurat për të njoftuar në mënyrë adekuate UNHCR-në lidhur me pranimin e kërkesës për Azil.

Në procedurën e regjistrimit, azil-kërkuesit i sigurohet shërbimi i përkthimit në gjuhën e tij amtare ose në gjuhën të cilën ai ose ajo e kupton. Organi kompetent i cili bën regjistrimin, është i obliguar të marrë shenjat e gishtërinjve dhe të bëjë një fotografim të azilkërkuesit. Në rastet kur regjistrimi i azilkërkuesit bëhet në pikën e kalimit kufitar apo në stacionin policor, të gjithë regjistrat dhe formularët i dërgohen DKAM-it, për zhvillimin e procedurës së azilit. Formulari i regjistrimit do të nënshkruhet nga azil kërkuesi për të konfirmuar saktësinë pasi që të jetë përkthyer në gjuhën të cilën ai / ajo e kupton.

Pas dorëzimit, kërkesa për azil dërgohet në autoritetet përkatëse kompetente për çështje të tilla të cilat marrin dhe vendimin përfundimtar.
Organi kompetent është organ brenda strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përgjegjës për marrjen e vendimeve mbi kërkesat për azil, mbrojtjen plotësuese dhe kërkesat e ndërlidhura si dhe vendimet për ndërprerjen e Azilit dhe të mbrojtjes plotësuese.
Pas aplikimit për statusin e azilantit, kërkuesi për azil regjistrohet në stacionin e policisë dhe pajiset me një dokument i cili tregon që personi është me status qëndrimi të përkohshëm në Kosovë deri sa të merret një vendimi përfundimtar nga autoritetet kompetente të vendit. Personi që ka aplikuar për statusin e refugjatit ka të drejtë:
  • të mbrojë çështjen e tij/saj vetë, ose
  • të ketë mundësinë e asistencës ligjore ose ti krijohet mundësia për të pasur asistencë ligjore nëse nuk ka mundësi financiare
  • të ketë asistencën falas të një përkthyesi
  • të komunikojë gojarisht ose me shkrim me autoritetet e UNHCR-së ose të një organizate ndërkombëtare autoritare kompetente të çështjeve të tilla
  • ti krijohet mundësia e vizitës mjekësore ose mjekimit kur është e nevojshme
  • të informohet rreth procedurave që lidhen me aplikimin për statusin e refugjatit dhe të drejtat e detyrimet e tij/saj gjatë këtyre procedurave në gjuhën që ai/ajo kupton
  • për të marrë vendim për një çështje të tillë autoritetet kompetente përkatëse i japin mundësi kërkuesit të statusit të refugjatit ose përfaqësuesit të tij/saj ligjor të paraqesin të gjitha provat e duhura në lidhje me kërkesën. Mund të kërkohen prova nga Organizatat ndërkombëtare kompetente ose UNHCR rreth çështjes
  • autoritetet kompetente përkatëse duhet të japin një përgjigje me shkrim për vendimin e marrë në lidhje me çështjen pas paraqitjes së provave. Ky vendim i jepet kërkuesit të statusit të refugjatit, përfaqësuesit të tij ligjor dhe një kopje u dorëzohet UNHCR-së dhe organizatave ndërkombëtarë në Kosovë përgjegjëse për këto çështje. Vendimi sqaron të drejtën për rishikim të çështjes dhe limitin kohor për të bërë kërkesën për rishikim
Në pajtim me ligjin për azilin , azili dhe mbrojtja plotësuese ju lejohet anëtarëve të pakontestueshëm të familjes së ngushtë të azilantit.
Organi përgjegjës për vendosje në shkallën e parë lidhur me kërkesën për azil përbëhet nga zyrtarë të Departamentit për Kufij, Azil dhe Migracion (DKAM). Ankesa kundër vendimit të organit të shkallës së parë, vendoset nga Komisioni Kombëtar për Refugjatë (KKR). Kundër vendimit përfundimtar të Komisionit, mund të kërkohet shqyrtim gjyqësor në pajtim me procedurat e përcaktuara me ligj lidhur me shqyrtimin gjyqësor të vendimeve administrative.

Për më shumë informacion rreth këtyre ligjeve ju lutem vizitoni faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
​​