Fitimi i shtetësisë

Kuvendi i Republikës së Kosovës, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me qëllim të vendosjes së rregullave ligjore për Shtetësinë e Republikës së Kosovës, miraton ligjin për shtetësinë e Kosovës. Me këtë ligj përcaktohen mënyrat e fitimit dhe të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës dhe rregullohen çështje të tjera të ndërlidhura me shtetësinë e Republikës së Kosovës.

“Shtetësi” nënkupton një lidhje të ngushtë juridike midis shtetit të Republikës së Kosovës dhe një personi nga e cila rezultojnë të drejta dhe detyrime të ndërsjella; 
Shtetasi i Republikës së Kosovës mund të jetë edhe shtetas i një ose më shumë shteteve të tjera. Fitimi dhe mbajtja e shtetësisë tjetër nuk rezulton në humbjen e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Mënyrat e fitimit të shtetësisë -
 Shtetësia e Republikës së Kosovës fitohet
  • me lindje
  • me adoptim
  • me natyralizim (“Natyralizim” nënkupton fitimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës së çdo person i cili nuk është shtetas i Republikës së Kosovës)
  • në bazë të marrëveshjes ndërkombëtare
Fitimi i shtetësisë së Kosovës nga personat e huaj - Personi i huaj e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës me kërkesë të tij nëse në ditën e paraqitjes së kërkesës plotëson kushtet vijuese:
  • është i moshës madhore
  • është duke qëndruar rregullisht në Republikës së Kosovës qe pesë (5) vite dhe posedon leje të vlefshme qëndrimi
  • deklarohet dhe me sjelljen e tij gjatë qëndrimit në Republikën e Kosovës ka dëshmuar se pranon rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës dhe se është i integruar në shoqërinë kosovare përmes lidhjeve sociale, kulturore, shkencore, ekonomike ose profesionale.
  • posedon mjete materiale të mjaftueshme për të siguruar jetesën e vet dhe të personave për mbajtjen e të cilëve është përgjegjës pa shfrytëzuar skemat e asistencës sociale
  • i ka përmbushur të gjitha detyrimet financiare ndaj shtetit dhe
  • ai/ ajo dëshmon njohuri elementare në njërën prej gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës.
Kriteret do të përcaktohen me akte nënligjore të nxjerra nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Personi i huaj i cili është bashkëshort i shtetasit të Republikës së Kosovës e fiton shtetësinë e Republikës së Kosovës në bazë të kërkesës, nëse në ditën e paraqitjes së kërkesës plotëson kushtet vijuese:
  • të paktën tre (3) vite ka lidhje të vlefshme martesore me shtetasin e Republikës së Kosovës
  • është duke jetuar rregullisht në Republikën e Kosovës për të paktën një (1) vit dhe posedon leje të vlefshme qëndrimi.
Fitimi i shtetësisë nga pjesëtarët e diasporës të Republikës së Kosovës - Pjesëtar i diasporës së Republikës së Kosovës konsiderohet çdo person i cili e ka qëndrimin e ligjshëm dhe të rregullt jashtë Republikës së Kosovës por i cili dëshmon se ka lindur në Republikën e Kosovës dhe se ka lidhje të gushta familjare dhe ekonomike në Republikën e Kosovës.
Pjesëtar i diasporës të Republikës së Kosovës konsiderohet edhe secili person i cili është pasardhës brenda një gjenerate i personit të lartëpërmendur dhe i cili dëshmon se mban lidhje familjare në Republikën e Kosovës.
Mënyrat e humbjes së shtetësisë - Shtetësia e Republikës së Kosovës humbet:
  • me lirim nga shtetësia
  • me privim të shtetësisë
  • në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
​​