Komunitetet

Komunitetet përkufizohen si grupe kombëtare, etnike, kulturore, gjuhësore apo fetare tradicionalisht të pranishme në Republikën e Kosovës të cilat nuk janë shumicë. Këto grupe janë komuniteti serb, turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian, goran dhe komunitete të tjera.
Personat që iu përkasin komuniteteve në Republikën e Kosovës kanë të drejtë t’i gëzojnë individualisht apo së bashku me të tjerët, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut që janë përcaktuar në obligimet ligjore ndërkombëtare të detyrueshme për Republikën e Kosovës. Këto të drejta dhe liri garantohen me kushtetutë, me ligje, rregullore dhe politika tjera shtetërore.

Kosova e konsideron shumëllojshmërinë e saj kombëtare, etnike, gjuhësore dhe fetare si një burim force dhe pasurie për zhvillimin e mëtejshëm të një shoqërie demokratike që bazohet në sundimin e ligjit. Në zhvillimin e Republikës së Kosovës, inkurajohet dhe çmohet kontributi aktiv i të gjithë personave që iu përkasin komuniteteve. Republika e Kosovës garanton barazi të plotë dhe efektive për të gjithë popullin e Kosovës. Republika e Kosovës promovon frymën e paqes, tolerancës, dialogut ndër-kulturor dhe ndër-fetar dhe mbështet pajtimin mes komuniteteve. Për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, ka miratuar Ligjin për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës.

Pjesëtarët e komunitetit shumicë në Republikën e Kosovës, të cilët si tërësi nuk janë shumicë në një komunë të caktuar po ashtu i gëzojnë të drejtat e radhitura në këtë ligj. Autoritetet në Republikën e Kosovës, përfshirë gjykatat, e interpretojnë këtë ligj në pajtim me garancitë e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, në obligimet e aplikueshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë dispozitat e Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë që lirisht të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë kulturën dhe identitetin e tyre dhe të ruajnë e përmirësojnë elementët esencialë të identitetit të tyre, veçanërisht fenë, gjuhën, traditat dhe trashëgiminë e tyre kulturore. Përveç të drejtave të posaçme të numëruara në këtë ligj, të drejtat themelore të njeriut do të ushtrohen lirshëm dhe në mënyrë të barabartë, duke përfshirë lirinë e të menduarit, të shprehurit, të mediave, të shoqërimit dhe tubimit; të besimit dhe ushtrimit të fesë dhe të 
drejtën e manifestimit privatisht ose publikisht, individualisht apo në komunitet me të tjerë të atributeve kulturore të komunitetit përkatës. 
Republika e Kosovës do të krijojë kushtet e duhura për t’iu mundësuar komuniteteve dhe personave që iu përkasin komuniteteve që lirshëm të kultivojnë, shprehin dhe zhvillojnë identitetet e tyre.

Sipas këtij ligji, gjuha shqipe dhe serbe dhe alfabetet e tyre janë gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës dhe kanë status të njëjtë në institucionet e saj. Gjuhët turke, boshnjake dhe rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komunal apo kanë përdorim zyrtar në pajtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë që lirshëm dhe pa ndërhyrje të përdorin gjuhën e komunitetit të tyre në jetën private dhe publike, në formë të folur dhe të shkruar. Të gjithë personat që iu përkasin komuniteteve kanë të drejtë të marrin shkollim 
publik në të gjitha nivelet, në njërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës që ata e zgjedhin. 
Qeveria e Republikës së Kosovës ndërmerr masat e nevojshme për t’u siguruar se personat që iu përkasin komuniteteve kanë qasje të barabartë në kujdesin shëndetësor pa diskriminim. Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë pjesëmarrjeje efektive në vendimmarrje politike në të gjitha nivelet e qeverisë, përfshirë vendimet që janë me rëndësi të veçantë për ta ose për zonën në të cilën ata jetojnë.

Sipas këtij ligji është paraparë themelimi, nën ombrellën e Presidentit të Republikës së Kosovës, i Këshillit Konsultativ për Komunitete. Ky këshill do të ndihmojë në organizimin dhe artikulimin e pikëpamjeve të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në lidhje me legjislacionin, politikat dhe programet publike që kanë rëndësi të veçantë për to. Gjithashtu, ky këshill do të ofrojë një forum për konsultim dhe bashkërendim midis komuniteteve dhe të sigurojë funksionimin efikas të organizatave përfaqësuese të komuniteteve, në përputhje me kodin e mirësjelljes që do të miratohet nga Këshilli Konsultativ për Komunitete; si dhe të ofrojë një mekanizëm për shkëmbim të rregullt ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve shtetërore.
​​