Votimi

Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës mbahen në bazë të votës së lirë, të përgjithshme, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë dhe rregullat e KQZ-së. Votuesit me të drejtë vote janë të barabartë në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar dhe për të hedhur numër të barabartë të votave në zgjedhjet e njëjta. Çdo qytetar i Kosovës ka të drejtën për të votuar dhe për t’u zgjedhur pa diskriminim në bazë të racës, etnisë, ngjyrës, gjuhës, gjinisë, besimit fetar apo bindjes politike, arsimit, përkatësisë sociale apo ndonjë kriteri tjetër të ngjashëm në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë ndër të tjera rregullon:
  • njohjen dhe mbrojtjen e të drejtës për të votuar dhe kriteret për pranueshmërinë e votës;
  • mirëmbajtjen e listës së votuesve;
  • procedurat e votimit, numërimit dhe shpalljes së rezultateve;
Organet e administrimit të zgjedhjeve ndërmarrin aktivitete për edukimin e votuesve me qëllim të rritjes së aftësive të votuesve për procedurat e votimit dhe procedurat e mbrojtjes së të drejtave zgjedhore. Për këtë qëllim, organet e administrimit të zgjedhjeve vënë në dispozicion materiale edukuese në gjuhët e komuniteteve në ato zona gjeografike ku ato komunitete ndodhen dhe përmes mediave që veprojnë në gjuhët e pakicave. 
Liria dhe fshehtësia e votës është e garantuar. Askush nuk ka të drejtë të pengojë ndonjë qytetar për të votuar, të detyrojë atë të votojë në një mënyrë të caktuar, të mbajë atë përgjegjës për votën, ose të kërkojë kundër dëshirës së tij/saj që të zbulojë votën e tij/saj ose arsyet për mos votim.

Mbajtja dhe administrimi i zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe legjislacioni përkatës zgjedhor udhëhiqen nga parimet në vazhdim:
  • Zgjedhjet Komunale mbahen në bazë të votës së lirë, të përgjithshme, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë në përputhje me rregullat e ligjit për zgjedhjet lokale në Republikën e Kosovës dhe rregullave të KQZ-së,
  • Votuesit me të drejtë vote janë të barabartë në ushtrimin e të drejtës së tyre për të votuar dhe për të hedhur numër të barabartë të votave në zgjedhjet e njëjta,
  • Çdo qytetar i Kosovës ka të drejtë për të votuar dhe të zgjidhet pa diskriminim në bazë të racës, etnisë, ngjyrës, gjuhës, gjinisë, besimit fetar apo bindjes politike, arsimit, përkatësisë sociale apo ndonjë kriteri tjetër të ngjashëm në përputhje me dispozitat e këtij ligji.
 
E drejta për të votuar
Çdo person ka të drejtë për të votuar në zgjedhje në përputhje me këtë ligj nëse i ka mbushur tetëmbëdhjetë (18) vjet në ditën kur mbahen zgjedhjet dhe e plotëson njërin prej kritereve vijuese:
  • është i regjistruar si qytetar i Kosovës në Regjistrin Qendror Civil;
  • banon jashtë Kosovës ose ka lëshuar Kosovën në apo pas 1 janarit 1998, me kusht që t’i plotësojë kriteret e parapara sipas ligjit në fuqi për të qenë qytetar i Kosovës;
  • ka fituar statusin e refugjatit, siç është përkufizuar në Konventën Lidhur me Statusin e Refugjatëve të 28 korrikut 1951 dhe Protokollin e saj të 16 dhjetorit 1966, në apo pas 1 janarit 1995, dhe ka të drejtë për t’u regjistruar në Regjistrin Qendror Civil si banor i Kosovës;
Asnjë person nuk mund të votojë nëse:
  • është duke vuajtur dënimin e shqiptuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (“Tribunali”);
  • është i akuzuar nga Tribunali dhe ka dështuar t’i bindet urdhrit për t’u paraqitur para Tribunalit;
  • është shpallur mentalisht i paaftë me vendim të prerë gjyqësor.