Shërbimet konsulente

Veprimtaria e shërbimit konsullor pranë Misioneve Diplomatike jashtë vendit ka për qëllim forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit ndërmjet mërgatës kosovare dhe Republikës së Kosovës. Pas 17 shkurtit 2008, kur Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë e vendit, Kosova hyri në fushatën e saj për njohjen e Republikës së Kosovës nga të gjitha shtetet si dhe të krijimit të marrëdhënieve bilaterale me shtetet, të cilat e kanë njohur Kosovën.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve hyn edhe njohja e pasaportave të Kosovës, lehtësimi i vizave apo edhe heqja e tyre. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka prioritet të vetin ngritjen e rrjetit diplomatik të Kosovës në botë, përkatësisht ngritjen dhe konsolidimin e Misioneve Diplomatike të Kosovës. Pranë Misioneve Diplomatike do të fillojnë të ofrohen Shërbime Konsullore të Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike dhe konsullore jashtë shtetit janë institucionet e vetme që lëshojnë pasaportën diplomatike dhe atë zyrtare. Republika e Kosovës ka nxjerrë në qarkullim katër pasaporta: pasaporta e udhëtimit, dokumenti i udhëtimit, pasaporta zyrtare dhe pasaporta diplomatike.

Pasaporta e re e Kosovës u zyrtarizua më 18 korrik 2008. Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të posedojnë këtë pasaportë. Për të parë nëse në shtetin që ju jetoni dhe punoni momentalisht kanë filluar të funksionojnë Shërbimet Konsullore pranë Misioneve Diplomatike të Republikës së Kosovës, ju lutem vizitoni ueb-faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës.
​​