Mjekësia Familjare

Komunat sigurojnë zbatimin e Kujdesit Parësor Shëndetësor duke i dhënë përparësi zbatimit të masave parandaluese përmes implementimit të konceptit të Mjekësisë familjare. Kosova është e ndarë në 36 Komuna, ku janë të vendosura institucionet e KPSh-së, respektivisht Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Përveç QKMF-ve, në mesin e institucioneve që ofrojnë kujdes parësor shëndetësor bëjnë pjesë dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) dhe Punktet e Mjekësisë Familjare (PMF). Në komunat ku mungon qasja e lehtë në spitale, në kuadër të disa QKMF-ve ekzistojnë edhe maternitetet jashtë-spitalore si dhe Qendrat për Mirëqenien e Gruas (QMG).
Secili prej banorëve të Kosovës sado pak ka njohuri rreth qendrave të mjekësisë familjare, sepse këto qendra tani ndodhen kudo, në secilën lagje ku ne banojmë dhe jetojmë. Mjekësia familjare përbehet nga një grup mjekësh të specializuar për këtë lëmi. Mjeku familjarë është specialist i cili përkujdeset për individët dhe familjet e tyre në shoqëri pa marrë parasysh llojin e sëmundjes apo karakteristikat sociale dhe personale të pacientit.
Mjekësia Familjare angazhohet me individ autonom përgjatë fushave të prevencës, diagnostikimit, shërimit, kujdesit dhe kujdesit paliativ duke i shfrytëzuar dhe integruar resurset në dispozicion pranë sistemit të kujdesit shëndetësor me qëllim që të jenë në interes më të mirë të pacientit dhe familjes së tij.
Mjeku familjar jep këshilla dhe ofron ndihmë për të gjitha sëmundjet në përgjithësi duke u përkujdesur në vazhdimësi për mbrojtjen e shëndetit. Përkujdesja e mjekut familjar përfshinë këto lëmi:
  • Jep këshilla mjekësore rreth mbrojtjes së shëndetit dhe njeh sëmundjet;
  • Diagnostifikimi i sëmundjes dhe trajtimi i pacientit;
  • Udhëzon dhe trajton në mjekimin parandalues të sëmundjes.
Kontakti i parë që duhet bërë në rast ftohjes, gripit apo të sëmundjes është Mjeku familjar prandaj secili person në nevojë duhet ta takoj mjekun familjar në vendin më të afërt të Mjekësisë (qendrës) Familjare në rrethin ku jeton. Mjeku familjar gjithashtu jep receta dhe këshilla të përdorimit në lidhje me problemin shëndetësor si dhe jep këshilla rreth parandalimit të tyre në të ardhmen. Mjeku familjar gjithashtu jep udhëzime në raste nevoje edhe për vizitë tek mjeku specialist ose për hospitalizim.
Për shërbimet e mjekësisë familjare ekziston një lloj i bashke pagesave, me përjashtim të kategorive të liruara nga këto bashkë pagesa (shih Asistenca mjekësore).​ ​