Sigurimet Shëndetësore

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në vitin 2013 Ligjin për Sigurimet Shëndetësore në Kosovë (2013/04-L-249) me qëllim të sigurimit të  qasjes universale të qytetarëve dhe banorëve të Republikës së Kosovës ndaj shërbimeve kualitative të kujdesit themelore shëndetësore, me qëllim të përmirësimit të indikatorëve shëndetësor dhe sigurimit të mbrojtjes financiare nga varfërimi për shkak të shpenzimeve të mëdha për kujdesin shëndetësor, nëpërmjet themelimit dhe rregullimit të sistemit publik të sigurimit shëndetësor.  Ky ligj rregullon themelimin, organizimin, funksionimin, dhe financimin e sistemit publik të sigurimeve shëndetësore; si dhe të drejtat dhe obligimet e palëve të përfshira.
Sigurimet shëndetësore në Republikën e Kosovës organizohen dhe zbatohen si:
 
1.Sigurime shëndetësore të obligueshme dhe;
 2. Sigurime shëndetësore vullnetare.
 
Sigurimi shëndetësor i obligueshëm: 
Sigurimi shëndetësor i obligueshëm është e drejtë dhe detyrim për të gjithë qytetarët dhe banorët e Republikës së Kosovës. Sigurimi shëndetësor i obligueshëm ofrohet vetëm nga Fondi dhe me të mbulohen të gjithë banorët e Republikës së Kosovës.
 
Të siguruarit e obliguar
 
Sipas  ligjit, të siguruar në mënyrë të obligueshme janë:
1. të gjithë qytetarët dhe banorët, të cilët kanë bërë pagesën e premiumit për sigurimin shëndetësor të obligueshëm; 2. anëtaret e familjes së ngushtë të qytetarëve ose banorëve të cilët kanë paguar premiumet e sigurimit të obligueshëm shëndetësor dhe të cilët janë të punësuar në sektorin publik ose janë të punësuar në sektorin privat ose publiko-private në kompanitë e regjistruara për TVSH me qarkullim vjetor prej pesëdhjetë mijë (50.000) Euro ose më shumë; 3. qytetarëve ose banorëve të cilët janë të liruar nga obligimi për të paguar këtë premium, në pajtim me këtë ligj.
Personat e liruar nga pagesa e premiumit dhe bashkë-financimi janë qytetarët dhe banorët, si në vijim:
1. familjet e varfra nën asistencë sociale - të gjithë anëtarët e familjes; 2. të burgosurit të cilët janë dënuar; 3. individët të cilët janë duke jetuar në institucione shtetërore -fëmijët nën kujdes të sforcuar dhe nën kujdestari, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara të strehuar në shtëpitë për persona të moshuar si dhe në shtëpitë për integrim në komunitet; 4. personat e ri-atdhesuar bazuar në marrëveshjet bilaterale të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera, në vitin e parë pas ri-atdhesimit; 5. invalidët e luftës, bashkëshorti/ja dhe fëmijët e tyre nën tetëmbëdhjetë (18) vjet në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi; 6. viktimat e trafikimit gjatë vitit të parë pas regjistrimit zyrtar, në pajtim me ligjin; 7. banorët e përhershëm të vend-banimeve joformale në Kosovë të cilët nuk janë të regjistruar ose të cilët janë në proces të regjistrimit deri në fund të procesit të regjistrimit, ose deri në një (1) vit pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, çfarëdo realizohet e para; 8. viktimat e dhunës në familje gjatë vitit të parë pas regjistrimit zyrtar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në pajtim me ligjin 9. pensionistët e moshës dhe ata kontribut-dhënës; 10. pensionistët e kompanisë “Trepça”; 11. pensionistët e Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës; 12. anëtarët e ngushtë të familjeve të dëshmorëve; 13.  veteranët e luftës si dhe bashkëshortja/i dhe fëmijët e tyre; 14. ish të burgosurit politik si dhe bashkëshortja/i dhe fëmijët e tyre; 15. anëtarët e ngushtë të familjeve të viktimave civile të luftës; 16. viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi; 17.personat me aftësi të kufizuar.
18. studentët.
 
Sigurimi shëndetësor vullnetar:
 
Qytetarët dhe banorët e Republikës së Kosovës, punonjësit e huaj në Republikën e Kosovës, si dhe të gjithë të tjerët, kanë të drejtë të kenë sigurim shëndetësor vullnetar plotësues.
Sigurimi shëndetësor vullnetar plotësues nuk mund të zbatojë politika komplementare e dispozita që rregullojnë bashkë-financimin e sigurimit të obligueshëm shëndetësor.
Sigurimi shëndetësor vullnetar plotësues realizohet nëpërmjet kontratës individuale në mes të siguruarit vullnetar ose/dhe përfaqësuesit të tij të emëruar ligjor, dhe kompanisë private të sigurimeve shëndetësore, në pajtim me ligjin. 4. Regjistrimi në sigurimin shëndetësor vullnetar plotësues për shërbimet e kujdesit shëndetësor themelor në agjencionet private të sigurimeve shëndetësore nuk e hjek detyrimin e obligueshëm të qytetarit, banorit, punëdhënësit dhe të punësuarit, për pagesën detyrimore të premiumit për sigurimin e obligueshëm shëndetësor në Fond, në pajtim me Ligjin e Sigurimeve.