Inspektoriati i Policisë së Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës është mekanizëm i pavarur për mbikëqyrjen e policisë së Republikës së Kosovës dhe ka dy funksione kryesore: inspektimin e mënyrës së kryerjes së detyrave nga ana e Policisë së Kosovës, në një varg të definuar të funksioneve menaxhuese në lidhje me saktësinë, efektshmërinë dhe zbatueshmërinë e ligjeve në fuqi, si dhe për të bërë hetimin e të gjitha ankesave për sjellje të pahijshme të pjesëtarëve të PK-së pa dallim grade, gjinie, moshe dhe nacionaliteti.

Misioni
Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është mbikëqyrja e mënyrës së kryerjes së detyrave policore nga Policia e Kosovës, duke u përkujdesur që ligji të zbatohet në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase.
 
Vizioni
Vizioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ngritjes së vazhdueshme profesionale të burimeve të saja njerëzore në hap me ndryshimet dhe standardet, të mbikëqyrë kryerjen e aktiviteteve policore.

 

Vlerat
Inspektorati Policor udhëhiqet nga vlerat si vijon:

  • Profesionalizmi,
  • Objektiviteti,
  • Paanshmëria politike,
  • Mosdiskriminimi dhe
  • Respektimi i të drejtave të njeriut. 
     

Si do ta ndihmojë IPK Policinë e Republikës së Kosovës?
IPK-ja do të funksionojë si mekanizëm mbikëqyrës i policisë dhe është plotësisht i pavarur nga PK-ja. Roli i IPK-së nuk duhet të kuptohet si negativ nga policët e PK-së, ose si ndërhyrje e padëshirueshme në veprimet policore.
Inspektimet kanë për qëllim që të arrijnë vetëm rezultate pozitive. Në çdo vit kalendarik, puna e inspektimeve do të rezultojë me një raport vjetor të mënyrës së kryerjes së detyrave nga ana e PK-së. Analizat e thukëta të veprimeve menaxheriale, që identifikojnë anët pozitive dhe negative dhe bëjnë rekomandime praktike e reale lidhur me ndryshimet që mund ta përmirësojnë mënyrën e kryerjes së detyrave në të ardhmen. Vendimi për të vepruar ndaj këtyre rekomandimeve qëndron te Drejtori dhe ata do ta ndihmojnë atë në detyrat për zhvillimin e mëtejmë të organizatës. Puna e IPK-së do ta ndihmojë PK-në që t'i demonstrojë popullit se është plotësisht e përgjegjshme dhe se ankesat për sjellje të pahijshme të pjesëtarëve të policisë do të hetohen në mënyrë të drejtë nga një organ i pavarur dhe jo nga policët tjerë.

​​