Qeveria

Qeveria e Kosovës ushtron pushtetin ekzekutiv në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjin. Qeverinë e Kosovës e përbëjnë Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat. 
Qeveria zbaton ligjet dhe aktet e tjera të miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe ushtron veprimtari tjera brenda përgjegjësive të përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj. Qeveria merr vendime në pajtim me këtë Kushtetutë dhe me ligje, propozon projektligje dhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese e akteve të tjera, si dhe mund të japë mendimin rreth projektligjeve të cilat nuk janë të propozuara nga ajo. 
Qeveria, për punën e vet, i përgjigjet Kuvendit të Kosovës. Kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat mbajnë bashkëpërgjegjësinë për vendimet që merr Qeveria, dhe përgjegjësinë individuale për vendimet që marrin në fushat e përgjegjësive të tyre.
Qeveria ka këto kompetenca:
  • propozon dhe zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të vendit;
  • mundëson zhvillimin ekonomik të vendit;
  • propozon Kuvendit projektligje dhe akte të tjera;
  • merr vendime dhe nxjerr akte juridike ose rregullore, të nevojshme për zbatimin e ligjeve;
  • propozon Buxhetin e Republikës së Kosovës;
  • udhëzon dhe mbikëqyr punën e organeve të administratës;
  • udhëzon veprimtarinë dhe zhvillimin e shërbimeve publike;
  • i propozon Presidentit të Republikës së Kosovës emërimet dhe shkarkimet për shefa të misioneve diplomatike të Kosovës;
  • propozon amendamentimin e Kushtetutës;
  • mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
  • ushtron edhe funksione të tjera ekzekutive, të cilat nuk u janë caktuar organeve të tjera qendrore ose vendore.
Kryeministri ka këto kompetenca:
  • përfaqëson dhe udhëheq Qeverinë;
  • siguron që të gjitha Ministritë të veprojnë në pajtim me politikat qeveritare;
  • siguron zbatimin e ligjeve dhe të politikave të përcaktuara të Qeverisë;
  • ndërron anëtarët e Qeverisë, pa pëlqimin e Kuvendit;
  • kryeson Këshillin e Sigurisë të Kosovës;
  • emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës;
  • këshillohet me Presidentin e Republikës së Kosovës mbi çështjet e Inteligjencës;
  • së bashku me Presidentin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e 
    Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë;
  • këshillohet me Presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit;
  • kryen edhe punë të tjera, të përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj.
 
​​