Arsimi fillor dhe i mesëm

Arsimi në Kosovë zhvillohet në institucione shoqërore dhe private. Duke filluar nga viti 1999, arsimi në Kosovë iu nënshtrua reformave në të gjitha nivelet: nga arsimi dhe edukimi parashkollor e deri në universitet. Këto reforma kishin për synim përshtatjen e arsimit në Kosovë sipas standardeve bashkëkohore evropiane e botërore. Si hap i parë i këtij sistemi të ri merret themelimi i Departamentit të Arsimit dhe Shkencës (DASH), që përcillet me krijimin e infrastrukturës ligjore dhe profesionale, e cila duhet të lehtësojë reformimin rrënjësor të arsimit (sistemi 5 + 4 + 3-4 në arsimin e përgjithshëm dhe në atë profesional dhe Marrëveshja e Bolonjës në arsimin e lartë), si dhe me themelimin eMinistrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në mars të vitit 2002. Gjatë kësaj periudhe fillon të zhvillohet edhe sistemi privat i arsimit.
Institucionet shtetërore të arsimit në Kosovë qeverisen nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). 

Ligji për arsimin
 - Sipas ligjit, arsimi fillor dhe i mesëm në Kosovë është falas dhe financohet nga buxheti i Kosovës. Arsimi është i detyrueshëm për të gjitha moshat nga 6 deri në 15 vjeç. Ligji për arsimin u garanton arsimim të barabartë të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Edukimi parashkollor
 - Sistemi i edukimit parashkollor ndahet në tri nivele :
  • Çerdhja (për fëmijët e moshës 1-2 vjeçare),
  • Kopshti (për fëmijët e moshës 3-4 vjeçare) dhe
  • klasa parafillore (për fëmijët e moshës 5 vjeçare)
Arsimi Fillor dhe Arsimi i mesëm i ulët - Sipas Ligjit për arsimin fillor dhe të mesëm në Kosovë, Edukimi Fillor (1-5) dhe i mesëm i ulët është I obliguar për të gjithë. Shkollimi i detyruar fillon kur fëmija ka mbushur moshën 6 vjeç (mosha minimale e arsimit të obliguar). Sipas këtij ligji, shkollimi në instuticionet arsimore me fonde publike është falas. Arsimi i mesëm i ulët është faza e dytë e arsimit bazë të detyruar dhe përfshin klasat 6-9, gjerësisht moshat 12 deri në 15 vjeç. Mësimi në shkollat fillore në Kosovë mbahet në pesë gjuhë: në gjuhën shqipe, serbe, boshnjake, turke dhe kroate.

Arsimi i mesëm i lartë, gjimnaze dhe shkolla profesionale
 - Arsimi i mesëm i lartë është organizuar në arsimin e përgjithshëm dhe në arsimin profesional. Arsimi i mesëm i lartë zgjat 3 ose 4 vjet varësisht nga programet arsimore të përcaktuara nga MASHT. Të gjithë nxënësit kanë të drejtë të ndjekin këtë nivel mbi baza vullnetare. Arsimi i mesëm i lartë ndahet në dy kategori atë të përgjithshëm dhe atë profesional. Arsimi i mesëm profesional, që nënkupton shkollat profesionale, si qëllim parësor përgatitjen e kuadrove për treg të punës, por ofron edhe mundësi të aplikimit në studime më të larta post sekondare dhe universitare. Ky lloj arsimi është organizuar në tetë tipe të shkollave, ku mësimi zhvillohet në disa profile.

Arsimi Special
 - Në bazë të ligjit për arsimin, në Kosovë të drejtën për arsim special e kanë ata fëmijë që nuk përfitojnë ose nuk kanë mundësi të përfitojnë mësimdhënie të zakonshme. Gjithsej në Kosovë janë 7 shkolla të arsimit special dhe 64 paralele me klasë të bashkangjitura të cilat mësimin e zhvillojnë në shkolla të rregullta.
​​