Arsimi profesional

Arsimi dhe aftësimi profesional, nënkupton aftësimin dhe arsimin, që ka për qëllim pajisjen e njerëzve të gjitha moshave me shkathtësi të punësimit. 

Arsimi profesional
, është pjesë e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional që iu mundëson nxënësve, të cilët e kanë kryer shkollimin e obliguar 9 (5+4) vjeçar ose atyre që kanë mbushur 15 vjeç dhe më të mëdhenj, arritjen e shkathtësive për punësim brenda institucioneve të arsimit profesional. Arsimi i mesëm profesional, që nënkupton shkollat profesionale, si qëllim parësor ka përgatitjen e kuadrove për treg të punës, por ofron edhe mundësi të aplikimit në studime më të larta post sekondare dhe universitare. Ky lloj arsimi në Kosovë është organizuar në tetë tipe të shkollave, ku mësimi zhvillohet në disa profile.

Kohëzgjatja e shkollimit të mesëm të lartë profesional, pjesë e shkollimit parauniversitar në Kosovë, është e ndarë në 3 nivele. Nivelet e arsimit në Kosovë janë të definuara sipas standardit ndërkombëtar për kualifikim ISCED në përputhje me ligjet në fuqi. Niveli i parë përfshinë klasën 10 +11. Kjo shkallë ofron kualifikimin bazik dhe mundëson punësimin në treg të punës si punëtor i gjysmë kualifikuar. Niveli i II, është vazhdimësi e nivelit te I, përfshinë klasën 12, dhe ofron punësim në treg të punës si punëtor i kualifikuar. Nxënësit e shkollave profesionale kanë të drejtën e studimeve universitare. Struktura e organizimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë përfshinDivizionin e Arsimit Profesional. Qëllimi kryesor I këtij divizioni është të udhëheqë të gjitha punët administrative, si: planifikim dhe përgatitje të propozim rregulloreve për funksionimin e shkollave profesionale dhe propozimin e masave të ndryshme për avancimin e arsimit profesional. Gjithashtu, zhvillon planprogramet mësimore në përputhje me rrjetin e profileve të ndryshme të arsimit profesional si dhe bashkëpunon edhe me institucione të ndryshme qeveritare dhe joqeveritare, për të hulumtuar nevojat e ekonomisë së tregut.

Institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional dhe teknik
mund të jenë publik dhe privat. 
Dokumentacioni që lëshohet për aftësim profesional janë dëftesa dhe diploma. Kurse dokumentacioni që lëshohet për arsimin profesional janë dëftesa, certifikata dhe diploma.
Nivelet e kualifikimit në Kosovë përcaktohen me Ligjin për Kualifikimet dhe Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve.
Shkollat profesionale përfshijnë:
  • programe dyvjeçare të arsimit profesional,
  • programe trevjeçare të arsimit profesional,
  • programe katërvjeçare të arsimit profesional
  • programe pas shkollimit të mesëm të një standardi të barabartë (ekuivalent), që mund të kenë një kohëzgjatje të ndryshme;
  • programet profesionale të niveleve të larta ofrohen nga shkollat profesionale,
  • shkollat e larta teknike të specializuara ose nga ofruesit privat të arsimit dhe aftësimit profesional të licencuar nga MASHT-i.
Certifikimi i të arriturave të nxënësve brenda sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional formal rregullohet me Kornizë Kombëtare të Kualifikimeve dhe Ligjin për Kualifikimet. Nxënësit pas përfundimit të niveleve të arsimit dhe aftësimit profesional formal për nivelet përgjegjëse marrin dëftesa, certifikata dhe diploma në përputhje me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe Ligjin për Kualifikimet. 
Këshilli i Arsimit dhe Aftësimit Profesional është themeluar në vitin 2007. KAAP përbëhet prej 15 anëtarëve duke përfshirë kryetarin. KAAP këshillon MASHT-in dhe Qeverinë e Kosovës në orientimin e përgjithshëm për politikën e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë.

Edukim Gjatë Gjithë Jetës
 është vazhdimësi e projektit "Mbështetje bujqësore për Kosovën", e cila është themeluar dhe planifikuar në një raport të afërt me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT-in) në Kosovë. Qëllimi kryesor i këtij projekti është edukimi i të rriturve në bujqësi dhe në zhvillimet rurale. Ky projekt do të inkurajojë bashkëpunimin ndërmjet të gjitha grupeve të ndryshme etnike.
Kjo do të arrihet nëpërmjet:
  • Krijimit të edukimit formal të të rriturve bazuar në programeve të reja mësimore për shkollën e mesme bujqësore,
  • Krijimit të kurseve pas universitare për personelin e mësimdhënies
  • Krijimit të kurseve jo-formale për të rriturit
  • Planifikimit të krijimit të kurseve për të papunët në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Ndihmës Sociale
  • Zhvillimit të mëtejshëm të shkollave bujqësore.
Të gjitha këto do të jenë një ndihmë e madhe në edukimin bujqësor si për nxënësit e rregullt që trajnohen në formë formale ashtu dhe nxënësve të rritur që trajnohen në forma jo-formale.
Ky projekt po aplikohet momentalisht në Shkollën e Mesme Profesionale "Adem Gllavica", në komunën e Lipjanit e cila e pronëson këtë shkollë.
​​