Një fëmijë në shkollë

Fëmijët që kanë arritur moshën 6 vjeç deri në shtator janë të detyruar nga ligji mbi arsimin të regjistrohen në klasën e parë të arsimit fillor. Me kërkesën e prindit, një fëmijë mund të regjistrohet në klasën e parë dhe nëse nuk i ka mbushur 6 vjeç duke pasur një vlerësim të mjekut dhe të psikologut. Vendimin përfundimtar e merr Drejtoria Komunale e Arsimit. Detyrimi për të shkuar në shkollë mund të shtyhet për shkaqe të ndryshme shëndetësore të fëmijës. Asnjë student nuk mund të përjashtohet nga arsimi i detyruar për shkak të aftësive të kufizuara fizike ose mendore. Në këto raste arsimi i detyruar mund të merret në shkollat e arsimit special me një program të veçantë të bazuar në nevojat speciale të fëmijës. Shkollimi i detyruar mbaron me përfundimin e vitit të nëntë të shkollimit ose në datën kur nxënësi i mbush 15 vjeç, varësisht cila nga këto përputhet e para.

Shkollat kanë zonën e vet të mbulimit dhe të gjithë nxënësit e moshës së arsimit të detyruar, që banojnë në atë zonë kanë të drejtë të regjistrohen dhe të ndjekin shkollën e nivelit përkatës. Prindërit janë të detyruar sipas ligjit që të regjistrojnë fëmijët për të ndjekur arsimin e detyruar 9 vjeçar (5+4). Prindërit duhet të krijojnë kushte normale të favorshme në shtëpi që fëmijët të kenë mundësi për të mësuar dhe që të përmbushin detyrimin për të shkuar në shkollë.

E drejta e fëmijëve të minoriteteve nacionale për të studiuar gjuhën a tyre amtare
 - Ligji për arsimin u garanton arsimim të barabartë të gjitha komuniteteve në Kosovë. Çdo fëmijë ka të drejtë të mësojë në gjuhën amtare në shkollën fillore e të mesme nëse plotësohen kushtet e parapara nga Ministria. Regjistrimi i të huajve ose atyre pa nënshtetësi mund të bëhet me marrjen e vendimit nga MASHT.

Regjistrimi për klasën e parë të arsimit fillor
 - Shkollat janë të detyruara të regjistrojnë të gjithë nxënësit që banojnë në zonën e tyre të mbulimit. Prindërit mund të kërkojnë të regjistrojnë fëmijët e tyre në një institucion arsimor tjetër edhe nëse jetojnë jashtë zones së mbulimit të këtij institucioni. Kërkesa merret në shqyrtim nga komuna dhe bazuar në vendet e lira që ka ky institucion arsimor merret vendimi për kërkesën e bërë.
Për të regjistruar një nxënës në klasë të parë, prindi duhet të paraqesë këto dokumente:
  • Certifikatën e lindjes së fëmijës
  • Kartela mjekësore e fëmijës
  • Dokumente që vërtetojnë identitetin dhe rezidencën e prindit
  • Formulari I Regjistrimit që do të mbushet në momentin e regjistrimit pranë institucionit arsimor
Shteti nuk ka të vendosur akoma një test për fëmijët që regjistrohen në klasë të parë. Kushtet për regjistrimin a një nxënësi në shkollë private vendosen nga vetë shkollat private.
Organizimi i mësimdhënies - Në shtetin e Kosovës viti akademik fillon me 1 Shtator dhe mbaron në Qershor.
Njësitë e organizimit të studimit janë si më poshtë:
  • Një orë mësimore (45 min)
  • Një ditë mësimore
  • Një javë mësimore
  • Gjysmë vjetor mësimor
Rregullat e sjelljes së nxënësit përcaktohen me Kodin e Mirësjelljes. Ky kod nxirret nga MASHT-i me UA. Ky kod përcakton rregullat kryesore të sjelljes, kushtet e domosdoshme të studimit, mbrojtjen e pronave të shkollës, përdorimin e ambienteve shkollore si dhe uniformën. 
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet të shpallë Kalendarin Akademik Shkollor për vitin shkollor në vazhdim.

Numri i nxënësve në një klasë
 - Numri mesatar i nxënësve për klasë në shkollat e Kosovës është 35. Te arsimimi për minoritetet, numri i mësimdhënësve në raport me nxënësit është 1 me 14, derisa për shqiptarët e Kosovës është 1 me 21. Të gjithë mësimdhënësit në Kosovë kanë marrë pjesë në trajnimeve profesionale të cilat janë kryer nga shumë agjenci ndërkombëtare dhe vendore. Në vitin 2006 janë trajnuar 70 % të mësimdhënësve.

Vlerësimi në Shkollë
 - Nxënësi duhet të vlerësohet nga mësuesi/mësuesja e klasës apo e lëndës mësimore bazuar në aftësinë për të mësuar, njohuritë dhe përpjekjet e nxënësit. Notat informojnë nxënësin dhe prindin për rezultatet e nxënësit në shkollë. Në fund të mbarimit të vitit shkollor nxënësit që kanë kaluar me sukses të gjitha lëndët mësimore pajisen me dëftesën e klasës përkatëse.
​​