Mbrojtja e të drejtave të njeriut

Në Republikën e Kosovës të drejtat dhe liritë themelore mbrohen me Kushtetutë.
Parimet e Përgjithshme të Kushtetutës së Republikës së Kosovës: 
1. Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
2. Republika e Kosovës mbron dhe garanton të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara në këtë Kushtetutë.
3. Çdokush e ka për detyrë t’i respektojë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve.
4. Të drejtat dhe liritë themelore të parashikuara në Kushtetutë, vlejnë edhe për personat juridikë, për aq sa janë të zbatueshme.

Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare
 Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
(1) Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
(2) Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
(3) Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;
(4) Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
(5) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
(6) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;
(7) Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
(8) Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese.

Institucioni i Ombudspersonit në Kosovë (IOK)
 është një organizatë e pavarur, e cila ka mandat të shqyrtojë çështjet që kanë të bëjnë me shkeljet e pohuara të të drejtave të njeriut apo keqpërdorim të autorizimeve nga autoritetet publike në Kosovë. Institucioni zhvillon hetime, publikon raporte dhe ofron shërbime juridike dhe avokim publik.
Institucioni ka mandat për të monitoruar veprimet dhe ligjet e aprovuara nga ana e autoriteteve lokale për të siguruar që ato i respektojnë standardet e të drejtave të njeriut dhe kërkesat e qeverisjes së mirë. Ndonëse monitoron pajtueshmërinë e gjyqësorit me standardet e të drejtave të njeriut, Institucioni i Ombudspersoni nuk zëvendëson gjykatën dhe nuk mundet që në mënyrë të drejtpërdrejtë të hetojë krimet, ndryshojë aktvendimet e gjykatës apo të lëshojë vendime detyruese.
Në rastet kur institucioni konsideron që një praktikë ose situatë e përgjithshme ndikon jo vetëm në një individ ose një grup të tyre por në tërë qytetarët si tërësi, dhe në të njëjtën kohë nuk është në pajtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, ai do të nxjerrë një Raport Special.


Si ndihmon Ombudspersonit?

Nëse hetuesit e institucionit gjejnë së ka shkelje të të drejtave të njeriut, përfaqësues të institucionit mund të kërkojnë zgjidhje përmes kanaleve të ndryshme. Institucioni i Ombudspersonit mund të ndërmjetësojë në mes ankuesve dhe autoriteteve lokale, rekomandojë veprime për autoritetet lokale, publikojë raporte, apo të ngritë brengat e tij përmes mediave. 
Në rastet që kanë të bëjnë me ankesat e kosovarëve drejtuar autoriteteve publike jashtë Kosovës, Institucioni i Ombudspersonit mund t’i ofrojë shërbimet e tij duke ofruar këshilla apo përkrahje tjetër. Institucioni gjithashtu mund t’ia përcjellë rastet e tilla Ombudsmanit kompetent ose ndonjë institucioni tjetër të natyrës së njëjtë në shtetin përkatës. Institucioni i Ombudspersonit nuk merret me kontestet mes personave privatë. 
Institucioni i Ombudspersonit pranon dhe heton ankesa nga çdo person në Kosovë që beson se të drejtat e saj/tij i janë shkelur nga ndonjë autoritet publik lokal në Kosovë
Të gjitha shërbimet janë falas.


Bazat ligjore

Institucioni i Ombudspersonit në Kosovë (IOK) u themelua në vitin 2000 me Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2000/38, që i jepte mandat për të hetuar ankesa kundër UNMIK-ut dhe administratës lokale publike.
​​