Kërkimi i punës

Kosova ka një popullsi prej mbi 2 milion banoreve, 60% është grupi i aftë për pune. Kjo kategori është mbi 50% e papune. Si e tille, paraqitet një potencial të madh për zhvillimin socio- ekonomik te Kosovës. Sipas të dhënave të ministrisë së punës dhe mirëqenies sociale në muajin shkurt 2007 janë regjistruar 330,196 punëkërkues.
Tregu i punës është i rregulluar me rregulloren e UNMIK-ut nr 2001/ 27, e cila është krijuar mbi bazën e standardeve të BE-së. Tani është ne procedure aprovimi i Ligjit te punës, po ashtu i bazuar ne standarde te BE-së.

Kjo rregullore për Ligji Themelor të Punës në Kosovë rregullon punësimin në Kosovë, duke përfshirë edhe marrëdhëniet e punës sipas të cilave kryhen punët ose shërbimet. Sipas kësaj rregullore diskriminimi në punësim dhe në profesion është i ndaluar. Fjalët punësim dhe profesion përfshijnë qasjen ndaj aftësimit profesional, qasjen ndaj punësimit dhe ndaj profesioneve të caktuara si dhe kushtet e punësimit.

Sipas këtij ligji, mosha tetëmbëdhjetëvjeçare (18) është mosha minimale për punësim ose punë. Personi nën moshën 18-vjeçare mund të punësohet vetëm për punë të lehta të cilat nuk e dëmtojnë shëndetin ose zhvillimin e tij a të saj dhe nuk e pengon atë për vazhdimin e mësimit në shkollë. Personat nën moshën 15-vjeçare nuk mund të punësohen. Po ashtu në bazë të ligjit, puna e dhunshme ose e detyruar është e ndaluar.
Pranë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale operon Departamenti i Punës dhe Punësimit, pranë të cilit janë ngritur disa divizione që mbikëqyrin çështjet e lidhura me punësimin në Republikën e Kosovës. 
Divizioni i Ligjit të Punës dhe Marrëdhënieve në Punë është përgjegjëse për përgatitjen e legjislacionit që ka të bëjë me punën.

Divizioni i Punësimit zbaton politikat e punësimit të vendosura nga Departamenti i Punës dhe i Punësimit, respektivisht nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale. Divizioni i Aftësimeve Profesionale përgatit strategjinë për aftësime profesionale të MPMS-së, duke përfshirë monitorimin dhe inspektimin vjetor sipas nevojës, punon dhe promovon hyrjen në programet e politikës së punësimit aktiv, koordinon dhe zhvillon aktivitete për koordinatorët e aftësimeve profesionale, këshilltarët për këshillime dhe këshilltarët për aftësime profesionale të rrjetit të shërbimit të punësimit.

Zyra për punësim
Për vitin 2008, MPMS për politikat e punësimit dhe për tregun aktiv të punës ka alokuar mjetet në shumë prej 100.000.00 euro për realizimin e punëve publike në territorin e Kosovës. Për këtë qëllim janë ngritur 7 qendra regjionale për punësim, 23 zyra komunale dhe 6 nën zyra komunale për punësim, të cilat me aktivitetet e tyre gjatë periudhës janar–qershor të këtij viti kanë realizuar:
  • Regjistrimin e 7 948 punëkërkues prej tyre 3 562 femra;
  • Çregjistrimin e 6 107 punëkërkuesve prej tyre femra 2 180,
  • Janë vizituar 11 200 ndërmarrje në të gjithë sektorët për gjetjen e vendeve të lira të punës dhe shikimi i nevojave për aftësime profesionale;
  • Janë gjetur 1 716 vende të lira të punës;
  • Kanë punësuar 1 542 punëkërkues me ndërmjetësim në punësim;
  • Kanë ndihmuar në këshillim më se 10 824 punëkërkues për punësim dhe vetëpunësim.
MPMS-ja, në bashkëpunim me Agjencinë Federale të Gjermanisë për Punësim ( ZAV), respektivisht me qendrën e saj për Shërbime Ndërmjetësuese Punësimi zhvillon një program të përbashkët për punësim stinor të studentëve të Universitetit të Prishtinës tek punëdhënësit gjerman. Në këtë projekt janë përfshirë të gjitha rajonet e Kosovës. Për këtë periudhë kohore janë përfshirë gjithsejtë 182 studentë, femra 67.
Nëse jeni të interesuar të gjeni punë, ju lutem regjistrohuni në një nga Zyrat e Punësimit që vepron në rajonin tuaj ose kërkoni në ueb-faqe që publikojnë vende pune.
​​