Forca e Sigurisë së Kosovës

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është Forcë e re, profesionale, shumetnike, lehtë e armatosur dhe e uniformuar e Sigurisë e cila i nënshtrohet kontrollit demokratik, civil. 

Misioni i FSK-së është që të kryej operacionet e reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës; si dhe t’i ndihmoj autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.

Detyra të tilla do të përfshijnë operacionet e kërkim shpëtimit; mënjanimin e mjeteve shpërthyese; kontrollin dhe pastrimin e materieve të rrezikshme; zjarrfikjen; si dhe detyrat tjera të ndihmës humanitare. FSK-ja do t’i përfaqësoj dhe mbroj të gjithë njerëzit e Kosovës.  

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës: Deklaratë Misioni

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) është përgjegjëse për ushtrimin e kontrollit civil mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), përfshirë edhe menaxhimin dhe administrimin. Përbëhet nga një përzierje e civilëve dhe personelit të FSK-së dhe përmes Kryeministrit i jep llogari Kuvendit të Kosovës. 

Misioni i MFSK-së, e cila është edhe Shtabi i nivelit më të lartë të FSK-së, është që të formuloj, zbatoj, vlerësoj dhe zhvilloj politikat dhe aktivitetet e FSK-së brenda kornizës së qeverisjes demokratike dhe në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.