Kushtetuta

Kushtetuta është akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës. Ligjet dhe aktet e tjera juridike duhet të jenë në pajtim me këtë Kushtetutë. Kushtetuta është një sistem për qeverisje, shpesh e koduar në formën e një dokumenti, e cila vë bazat e rregullave dhe principeve themelore të një republike autonome. Kushtetuta përcakton principet themelore politike, strukturën, procedurat, fuqinë dhe përgjegjësitë e qeverisë. Pushteti qeverisës në Republikën e Kosovës buron nga Kushtetuta. Mënyra e punës dhe procedurat e vendimmarrjes në Qeveri rregullohen me ligj dhe me rregullore.
 
Republika e Kosovës respekton të drejtën ndërkombëtare. Secili person dhe organ në Republikën e Kosovës u nënshtrohet dispozitave të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese është organ i pavarur i mbrojtjes së kushtetutshmërisë dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.
 
Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut.
 
Historia e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
Drafti i Kushtetutës së re të Republikës së Kosovës u përgatit dhe u publikua në Prill të vitit 2008. Shumë nga nenet e draftit të Kushtetutës së re u bazuan dhe rrjedhuan nga plani i Ahtisaarit, kështu që kushtetuta u garantonte të drejta të veçanta grupeve të minoriteteve dhe siguronte një mjedis më të sigurte për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
 
17 Shkurt, 2008 - Kosova u shpall shtet sovran, i pavarur më 17 Shkurt të 2008, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Deklarata e Pavarësisë ishte një Akt i Kuvendit të Kosovës si Institucion i Përkohshëm i Vetë-Qeverisjes, i pranuar unanimisht nga të gjithë anëtarët prezentë të kuvendit, 109 anëtarë. Deklarata e Pavarësisë u lexua nga Kryeministri i Kosovës, z. Hashim Thaqi
 
2 Prill, 2008 - Komisioni Kushtetues miraton tekstin e Projekt–Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Po në këtë ditë Projekt – Kushtetuta e Republikës së Kosovës Certifikohet.
 
8 Prill, 2008 - Kushtetuta e Republikës së Kosovës nënshkruhet nga Presidenti I Republikës së Kosovës në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, Prishtinë, Kosovë.
 
9 Prill, 2008 - Draft- Kushtetuta e Republikës së Kosovës u ratifikua në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
15 Prill, 2008 - Kushtetuta e Republikës së Kosovës u fuqizua plotësisht si akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës.
Para nënshkrimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës Kosova qeverisej në kuadër të Kushtetutës së Përkohshme , bazuar në Rezolutën 1244 e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Kjo rezolutë më vonë u ratifikua në vitin 2001, gjë e cila fuqizoi Institucionet e Përkohshme të Vetë-Qeverisjes, duke i lënë autoritetin final një Përfaqësuesi Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
 
Preambula e Kushtetutës së Republikës së Kosovës
"Ne, Populli i Kosovës,
  1. Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të Kosovës si një vend i lirë, demokratik dhe paqedashës, i cili do të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve të vet
  2. Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit
  3. Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social
  4. Të sigurt që shteti i Kosovës do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit dhe të mbarë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë dhe të bashkëpunimit të mirë me të gjitha shtetet fqinje
  5. Të bindur që shteti i Kosovës do të jetë anëtar i denjë i familjes së shteteve paqedashëse në Botë
  6. Me synimin që shteti i Kosovës të përfshihet në proceset integruese Euro-Atlantike
Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Republikës së Kosovës.”
​​