Marrëdhëniet me jashtë

Republika e Kosovës synon një politikë të jashtme aktive, e cila duhet të jetë në përputhje me synimet e popullit të Kosovës për integrime euro-atlantike, ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve me vendet mike, thellimin e marrëdhënieve të mira me vendet e rajonit, si dhe arritjen e statusit te një partneri të besueshëm në luftën kundër kërcënimeve të sigurisë ndërkombëtare.
Politika e jashtme e Kosovës formulohet dhe zbatohet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka për mision mbrojtjen e interesave të Kosovës në raport me vendet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare, përfaqësimin e Kosovës në vendet e jashtme, ruajtjen dhe mbrojtjen e imuniteteve dhe privilegjeve të misioneve diplomatike dhe personave të cilëve u takojnë ato sipas konventave dhe zakoneve ndërkombëtare, zhvillimin dhe bashkërendimin e politikave në raport me vendet e tjera, zhvillimin e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës promovon dhe mbron politikat nacionale, kulturore e ekonomike të Kosovës në botë.
 
Pas 17 shkurtit 2008, kur edhe Kuvendi i Kosovës e shpalli pavarësinë e vendit, Kosova hyri në fushatën e saj për njohjen e Republikës së Kosovës nga të gjitha shtetet si dhe të krijimit të marrëdhënieve bilaterale me shtetet, të cilat e kanë njohur Kosovën. Në kuadër të këtyre zhvillimeve hyn edhe njohja e pasaportave të Kosovës, lehtësimi i vizave apo edhe heqja e tyre.
 
Strategjia e Politikës së Jashtme
Orientimi i përgjithshëm strategjik i politikës së jashtme të Kosovës është:
  • konsolidimi i shtetit të Kosovës
  • zhvillimi i bashkëpunimit rajonal
  • integrimi në strukturat euro-atlantike
  • zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • forcimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve me shtete me peshë globale ose rajonale
  • promovimi i interesave ekonomike të Republikës së Kosovës në botë.
Politika e jashtme e Republikës së Kosovës në radhë të parë është e orientuar drejt avancimit të vazhdueshëm të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe forcimin e përkrahjes ndërkombëtare për sovranitetin e Kosovës. Gjithashtu, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka prioritet të rëndësisë së veçantë anëtarësimin e plotë të vendit në organizatat dhe institucionet kryesore financiare ndërkombëtare dhe rajonale, sipas prioriteteve, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, etj. Ka nisur procesi dhe fushata diplomatike për anëtarësimin e Kosovës në OKB, OSBE, KE. Një prioritet tjetër në fokus të përhershëm të Qeverisë së Kosovës do të jetë anëtarësimi i Kosovës në NATO.
 
Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për gamën e ligjeve që duhet të harmonizohen me standardet e BE-së, si dhe vëllimin e reformave që duhet të ndodhin në të gjitha fushat për t’i plotësuar kriteret që kërkohen nga Bashkimi Evropian në procesin e Stabilizim-Asociimit.
 
Misionet Diplomatike, Pasaportat dhe Vizat
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, në këtë fazë të konsolidimit të saj ka prioritet të vetin ngritjen e rrjetit diplomatik të Kosovës në botë, përkatësisht ngritjen dhe konsolidimin e Misioneve Diplomatike të Kosovës. Më 18 qershor 2008, presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, ka dekretuar hapjen e nëntë Misioneve të para Diplomatike të Kosovës në botë në nivel ambasade: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Mbretëria e Belgjikës, Republika e Francës, Republika Federale e Gjermanisë, Republika e Italisë, Republika e Austrisë, Konfederata e Zvicrës dhe Republika e Shqipërisë. Më 3 korrik 2008, presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, dekretoi hapjen e Misionit Diplomatik në nivel ambasade në Republikën e Turqisë.
 
Pranë Misioneve Diplomatike do të fillojnë të ofrohen Shërbime konsullore të Republikës së Kosovës. Veprimtaria e shërbimit konsullor në misionet jashtë vendit ka për qëllim edhe forcimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit ndërmjet diasporës kosovare dhe Republikës së Kosovës. 
Ministria e Punëve të Jashtme dhe përfaqësitë diplomatike dhe konsullore jashtë shtetit janë institucionet e vetme që lëshojnë pasaportën diplomatike dhe atë zyrtare. Republika e Kosovës ka nxjerrë në qarkullim katër pasaporta: pasaporta e udhëtimit, dokumenti i udhëtimit, pasaporta zyrtare dhe pasaporta diplomatike. Shtetasit e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza drejt Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Po ashtu edhe Turqia e ka hequr sistemin e vizave pasi ato i lëshon në kufi, kundrejt një pagese prej 10€. Pasaporta e re e Kosovës u zyrtarizua më 18 korrik 2008. Të gjithë qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të posedojnë këtë pasaportë. Kosova ende nuk aplikon sistem të vizave për shtetasit e huaj.
​​