Sistemi Gjyqësor

Organizimi dhe Juridiksioni i Gjykatave - Gjykata Supreme e Kosovës është autoriteti më i lartë gjyqësor. Organizimi, funksionimi dhe juridiksioni i Gjykatës Supreme dhe i gjykatave të tjera, rregullohen me ligj. Të paktën pesëmbëdhjetë përqind (15%) e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, por jo më pak se tre (3) gjyqtarë, do të jenë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës e emëron dhe shkarkon Presidenti i Kosovës, nga radhët e gjyqtarëve te Gjykatës Supreme, për mandat shtatëvjeçar, pa mundësi të riemërimit, pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës për emërimin ose shkarkimin e saj/tij. Kryetarët e të gjitha gjykatave të tjera emërohen në mënyrën e përcaktuar me ligj. Të paktën pesëmbëdhjetë përqind (15%) e gjyqtarëve nga cilado gjykatë tjetër, e themeluar me juridiksionin e apelit, por jo më pak se dy (2) gjyqtarë do të jenë nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë. Gjykata të specializuara mund të themelohen me ligj kur kjo të jetë e nevojshme, por në asnjë mënyrë nuk mund të themelohen gjykata të jashtëzakonshme. Gjyqtarët i emëron, riemëron dhe shkarkon Presidenti i Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Mandati fillestar për gjyqtarët është trevjeçar. Në raste të riemërimit, mandati është i përhershëm deri në moshën e pensionimit, sikurse është përcaktuar më ligj, përveç nëse shkarkohet në pajtim me ligjin. Kriteret dhe procedurat për riemërimin e një gjyqtari, përcaktohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ato mund të dallojnë në shkallë nga kriteret e përdorura për shkarkimin e gjyqtarëve.
 
Këshilli Gjyqësor i Kosovës - Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron pavarësinë dhe paanësinë e sistemit gjyqësor. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është institucion plotësisht i pavarur në ushtrimin e funksioneve të tij. Këshilli Gjyqësor i Kosovës siguron që gjykatat në Kosovë të jenë të pavarura, profesionale e të paanshme, dhe të pasqyrojnë plotësisht natyrën shumetnike të Republikës së Kosovës e të ndjekin parimet e barazisë gjinore. Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar. Këshilli do t’u japë përparësi për emërim si gjyqtarë, anëtarëve të komuniteteve të nën përfaqësuara në mënyrën e përcaktuar me ligj. Këshilli Gjyqësor i Kosovës është përgjegjës për rekrutimin dhe propozimin e kandidatëve për emërim dhe riemërim për pozita gjyqësore, për inspektimin gjyqësor, administrimin gjyqësor, përpilimin e rregullave për gjykatat në pajtim me ligjin, punësimin dhe mbikëqyrjen e administratorëve të gjykatave, hartimin dhe mbikëqyrjen e buxhetit për gjyqësorin, përcaktimin e numrit të gjyqtarëve në secilin juridiksion dhe bën rekomandime për themelimin e gjykatave të reja. Themelimi i gjykatave të reja bëhet me ligj.
​​